Dy të rinj kanë rënë në prangat e policisë së Laçit, pasi dyshohet se shpërndanin kokainë në doza në qytet. Operacioni policor i koduar “Destinacioni” çoi në arrestimin e një 28 dhe 19 vjeçari. Sipas Policisë, ata dyshohet se siguronin kokainën, e ndanin në doza dhe më pas e shpërndanin në qytetin e Laçit. Policia i lokalizoi dhe ndaloi dy të rinjtë në lagjen nr. 6 në Laç, ndërsa gjatë kontrollit të automjetit me të cilin udhëtonin u gjetën 80 doza kokainë, të gatshme për shitje. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda narkotike, automjeti dhe 4 aparate celulare. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.