Avioni me të cilin udhëtonte presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky për pak sa nuk u godit nga një dron gjatë momentit të ngritjes nga Moldavia. Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre, i cili e përshkroi incidentin si një shembull të realitetit me të cilin përballet Ukraina në kushtet e luftës. “Avioni i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky pothuajse u godit nga një dron ndërsa ishte gati të ngrihej nga Moldavia. Kjo është realiteti që po përjeton”, deklaroi Støre për transmetuesin publik norvegjez NRK.