Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë që Shqipëria të garantojë sigurinë e sektorëve strategjikë dhe të infrastrukturës kritike, ndërsa mirëpresin investimet e huaja që nxisin ekonominë. E ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, Nancy VanHorn, gjatë prezantim mbi draft-kornizën e shqyrtimit të investimeve të huaja, të organizuar nga Ministria e Ekonomisë e Shqipërisë dhe Oda Amerikane e Tregtisë, tha se investitorët kërkojnë siguri, rregulla të qarta dhe mbrojtje nga aktorë që nuk veprojnë sipas standardeve ndërkombëtare.