Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur një ofensivë për të rihapur Ngushticën e Hormuzit. Uashingtoni ka angazhuar avionë luftarakë dhe helikopterë Apache për të goditur anijet dhe dronët iranianë pranë korridorit të rëndësishëm të transportit detar. Rruga ujore, e cila shërben si kanal për një të pestën e naftës botërore, është mbyllur pothuajse plotësisht pasi Teherani kërcënoi të sulmonte çdo anije që përdorte ngushticën me anije të armatosura, mina dhe raketa lundrimi. SHBA kishte planifikuar të dërgonte anije luftarake për të shoqëruar anijet tregtare nëpër zonë, por zyrtarët paralajmëruan se operacioni për të rihapur ngushticën ndoshta do të zgjaste me javë të tëra. Gjenerali Dan Caine, kryetari i Shtabit të Përbashkët të Forcave të Armatosura, tha në Pentagon: "A-10 Ëarthog tani është i angazhuar në të gjithë krahun jugor, duke synuar mjete ujore sulmi të shpejtë në Ngushticën e Hormuzit." Më vonë ai konfirmoi se ishin vendosur edhe helikopterë Apache dhe tha se ushtria amerikane kishte lëshuar bomba depërtuese 2.5 tonëshe kundër objekteve nëntokësore të magazinimit të armëve të Iranit. Uashingtoni ka përshpejtuar gjithashtu vendosjen e Njësisë së 11-të Ekspedicionare Detare nga Kalifornia. Task-forca, me rreth 4,500 marisa pritet të mbërrijë në Lindjen e Mesme brenda dy ditësh. Operacioni për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit u bë akoma më urgjent të enjten pasi çmimet e naftës u rritën mbi 100 dollarë për fuçi.