Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Serbisë ka ndërmarrë një nismë për rikthimin e detyrimit për të shërbyer në ushtri të paktën për katër muaj. Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Milosh Vuçeviq, tha se Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë e ka dërguar propozimin tek Presidenti i Serbisë, si komandant suprem që është, duke kërkuar që të tërhiqet vendimi për pezullimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. “Pas 13 vitesh duhet të plotësojmë rezervat. 13 breza prej nesh u larguan nga Forcat e Armatosura pasi nuk kishte shërbim të detyrueshëm ushtarak. Nevojat tona të sigurisë diktojnë nevojën për rekrutë të rinj që janë gjithmonë të gatshëm për të mbrojtur vendin. Ne i kuptojmë rreziqet e sigurisë. Kjo nuk është vetëm një nevojë e Serbisë, edhe shumë vende evropiane po aktivizojnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak”, shpjegoi Vuçeviç.