Serbia pritet të ratifikojë një marrëveshje për ekstradim me Kinën, pavarësisht analizave të organizatave ndërkombëtare që prej vitesh kanë theksuar se Pekini zyrtar e keqpërdor këtë mekanizëm juridik ndaj disidentëve politikë dhe aktivistë për të drejtat e njeriut që janë në diasporë. Deputetët e Kuvendit të Serbisë kanë nisur tashmë debatin për disa dhjetëra ligje dhe marrëveshje, ndër të cilat është edhe marrëveshja me Kinën. Marrëveshjen e kanë nënshkruar përfaqësuesit e dy vendeve dy vjet më parë në Beograd, gjatë vizitës së presidentit kinez, Xi Jinping. Kina e ratifikoi atë në shtator të vitit 2025.