Analisti i sigurisë Drizan Shala ka ngritur shqetësimin për monitorimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë nga një llogari serbe në rrjetin social X. Përmes një analize, Shala shkruan se më 2 tetor llogaria “Dunav Intel”, e cila publikon materiale me shkrime cirilike serbe, shpërndau pamje të Forcave të Armatosura në poligonin e Bizës, duke i cilësuar si ekskluzive. Në fotografi shfaqen mjetet taktike, çadrat dhe kazermat e poligonit, ndërsa sipas analistit, llogaria pretendon se e monitoron Bizën prej më shumë se dy vitesh dhe se ndjek gjithashtu fluturimet e dronëve Bayraktar shqiptarë nga baza e Kuçovës.Analisti e lidh këtë ngjarje si një përpjekje për monitorimin e ushtrisë shqiptare për interes të Serbisë. Sipas një zyrtari të lartë të mbrojtjes, cituar nga Tirana Examiner, problemi është i vazhdueshëm dhe Shqipëria nuk disponon kapacitete të mjaftueshme antidron për t’u përballur me këto kërcënime.