Rusia, Kina dhe Irani janë kërcënimet më të mëdha për Suedinë, tha të mërkurën Shërbimi Suedez i Sigurisë në raportin e tij të përvitshëm ku identifikon kërcënimet me të cilat përballet vendi. Organet e sigurisë kanë paralajmëruar vitet e fundit për kërcënime në rritje, mbi të gjitha nga një shtet rus gjithnjë e më i prirur ndaj sipërmarrjeve të rrezikshme në mbështetje të luftës së tij në Ukrainë, duke përfshirë edhe sulmet destabilizuese hibride në të gjithë Evropën. Irani është etiketuar gjithashtu prej kohësh si një kërcënim serioz dhe autoritetet kanë vënë re se si rrjetet kriminale në Suedi, vend që ka kaluar dekadën e fundit duke u përballur me një valë krimesh të lidhura me bandat, janë përdorur nga aktorët shtetërorë për të kryer akte dhune. "Operacioni ushtarak amerikano-izraelit kundër Iranit dhe kundërmasat e ndërmarra nga Irani kanë rritur ndërkohë kërcënimin kundër objektivave amerikane, izraelite dhe hebraike në Suedi", tha në raport shefja e Shërbimit të Sigurisë Charlotte von Essen.