Rusia paralajmëroi Britaninë të martën se do të përballet me pasoja për furnizimin me dronë të Ukrainës, dronë këta që përdoren për të sulmuar objektiva në territorin rus. Ambasada e Rusisë në Londër iu përgjigj një raporti të britanikes Times të shtunën, i cili tha se dronët e prodhuar në Britani ishin përdorur për sulme me rreze të gjatë veprimi kundër Rusisë për herë të parë. "Veprimet e Londrës do të sjellin në mënyrë të pashmangshme pasoja për të cilat ajo do të duhet të përgjigjet", tha ambasada në një deklaratë të postuar në kanalin e saj në Telegram.