Rusia ka krijuar një rrjet agjentësh për qëllimet e saj të luftës hibride kundër Evropës, ku institucionet shtetërore janë të lidhura ngushtë me botën kriminale. Sipas një studimi të përbashkët nga GLOBSEC dhe Qendra Ndërkombëtare për anti-Terrorizmin, ICCT, njerëz me të kaluar kriminale që flasin rusisht po rekrutohen për të kryer operacione sabotimi në të gjithë Evropën. Studimi i lidh këto taktika me luftën kundër Ukrainës, duke vënë në dukje se "operacionet hibride nuk janë një veprim anësor, por një shtyllë kryesore e strategjisë së Rusisë". Studiuesit i krahasojnë këto taktika me metodat e Shtetit Islamik, i cili më parë ka rekrutuar kriminelë në Evropë. "Këtë herë, nuk është një organizatë terroriste, por një shtet që udhëheq rekrutimin dhe operacionet", thotë studimi.