Rritja e pagës mesatare në nivelin e 900 eurove në vitin 2024, interpretohet si premtim elektoral nga opozita, teksa ekspertët e ekonomisë ngrenë pikëpyetje për përballimin e kostos shtesë në buxhet që krijon ky vendim i qeverisë. I ftuar në emisionin “Zona Zero” në Top Neës, ekonomisti Selami Xhepa u shfaq skeptik jo vetëm për ndërmarrjen e kësaj reforme në periudhë inflacioniste, por edhe për ndikimin që do të ketë rritja e pagave në sektorin privat. Sipas socialistes, Anila Denaj, deri më tani vetëm 6.2 për qind e GDP shkonte për pagat e personelit, ndaj Shqipëria e ka të gjithë hapësirën ekonomike për të finalizuar këtë reformë. Kosotoja totale e rritjes së pagave në buxhetin e shtetit deri në vitin 2025 do të jetë 340 milionë euro. Rritja e pagës minimale, por edhe pagës mesatare në sektorin publik pritet të krijojë një kosto të shtuar edhe për privatin.