Bashkimi Evropian pritet që gjatë kësaj jave të propozojë një sistem që do të lejonte shtetet që bashkërisht të blinin rezerva strategjike të gazit – një masë e hartuar nga blloku evropian në përgjigje të rritjes së çmimeve të energjisë. Çmimet standarde të gazit me shumicë në Evropë u rritën më shumë se 500 për qind gjatë këtij viti, duke arritur nivele rekord në muajin tetor, pasi furnizimet e pakta me gaz përkuan edhe me kërkesën në rritje të ekonomive që po rimëkëmben nga pandemia e COVID-19. Pavarësisht se çmimet kanë rënë, ato vazhdojnë të jenë të larta.