Friedrich Merz, udhëheqës i aleancës CDU/CSU, që fitoi zgjedhjet në Gjermani, tha se konservatorët kanë “mandat të qartë për të formuar qeverinë”. Merz tha se do të bisedojë me udhëheqësit e Social-Demokratëve në ditët në vazhdim dhe se negociatat do të adresojnë si formimin e koalicionit të ri, ashtu edhe tranzicionin e pushtetit. Duke folur në konferencën e parë për shtyp, pas zgjedhjeve, Merz renditi tri prioritetet e tij kryesore: së pari, ai tha se Gjermania duhet të organizojë mbrojtjen e saj. Si shqetësim të dytë dhe të tretë ai përmendi emigrimin dhe ekonominë, por shfaqi besimin se aleanca e tij do të gjejë zgjidhjet e duhura.