Bordi i Transprancës ka rishikuar sërish çmimet tavan të shitjes së naftës dhe benzinës, ku për herë të parë që nga koha kur u ringrit për të përballuar çmimet, rishikon me rritje naftën por me ulje benzinën. Sipas çmimeve të reja të tavan të bordit, në tregun e pakicës nafta do të shitet jo më shumë se 195 lekë, nga 191 lekë që ishte në fuqi. Ndërkohë, në tregun e shumicës çmimi i një litri naftë do të shitet jo më shumë se 183 lekë. E kundërta ndodh me benzinën. Bordi ka vendosur që shitja me pakicë e këtij produkti të mos jetë më shumë se 175 lekë, duke e ulur me 1 lek nga çmimi tavan pararendës që kishte vendosur më 1 qershor. Me shumicë, benzina do të tregtohet jo më shumë se 163 lekë për litër. Çmimet e reja të bordit qëndrojnë në fuqi deri në vendimin e radhës.