Shërbimet e Policisë dhe ekipi i urgjencës mjekësore së spitalit të Lezhës i shkuan në ndihmë një të moshuari të dëmtuar në zonë malore, mbi kalanë e Lezhës. Përmes një njoftimi zyrtar, Policia bën të ditur se i moshuari ishte duke ruajtur bagëtitë në mal, ku edhe është rrëzuar, duke pësuar dëmtime që i pamundësonin lëvizjen. Pas marrjes së njoftimit, Shërbimet e Policisë dhe ekipi i urgjencës mjekësore bënë të mundur transportimin e tij në Spitalin Rajonal të Lezhës, për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Më pas, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore dhe nevojës për trajtim më të specializuar, 71-vjeçari u transportua në Spitalin e Traumës, në Tiranë.