Një helikopter ushtarak është rrëzuar pasditen e së enjtes në Turqinë lindore, duke shkaktuar mobilizimin e shërbimeve të emergjencës. Helikopteri i tipit S-70 u rrëzua rreth orës 18:45, sipas orës lokale, teksa shkaqet e aksidentit nuk dihen ende. Pas rrëzimit, helikopteri shpërtheu një zjarr, i cili u shua nga zjarrfikësit. Ndërkohë, në vendngjarje mbërritën ambulancat, ekipet e Agjencisë Turke të Menaxhimit të Fatkeqësive (AFAD), si dhe forcat policore dhe ushtarake. Ministria Turke e Mbrojtjes konfirmoi incidentin, duke bërë të ditur se ekipet kanë mbërritur në rrënojat e helikopterit dhe kanë nisur operacionin e kërkim-shpëtimit. Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë informacion për numrin e personave që ndodheshin në bord apo për viktima dhe të plagosur. Helikopteri përdoret nga forcat e armatosura për transport personeli, misione ushtarake dhe operacione kërkim-shpëtimi. Hetimet vijojnë për të zbardhur shkaqet e rrëzimit dhe gjendjen e ekuipazhit.