Një helikopter që i përkiste Forcave Ajrore të ushtrisë iraniane u rrëzua të martën në një treg frutash në provincën qendrore të Isfahanit, duke vrarë katër persona, raportuan mediat shtetërore. Piloti, bashkëpiloti dhe dy shitës frutash në tokë u vranë, tha agjencia zyrtare e lajmeve IRNA, duke ia atribuar rrëzimin "një mosfunksionimi teknik". Tragjedia ndodhi në qytetin Khomeynishahr në provincën Isfahan. Irani i goditur nga sanksionet ka regjistruar disa fatkeqësi ajrore në vitet e fundit, me zyrtarët që ankohen për vështirësi në sigurimin e pjesëve rezervë për të mbajtur flotat e tij të vjetra në ajër. Aksidentet e përsëritura ajrore përfshijnë në shumë raste avionë të blerë para Revolucionit Islamik të vitit 1979 për të cilët mungojnë pjesët origjinale të këmbimit. Të enjten, një avion luftarak iranian, F-4, i prodhuar në SHBA, u rrëzua, duke vrarë një nga dy pilotët në bord gjatë një stërvitjeje natën vonë në provincën perëndimore Hamedan, tha transmetuesi shtetëror i Iranit.