Një avion luftarak F-16 i Forcave Ajrore greke u përplas në aeroportin e Zakynthos-it, duke cuar në mbylljen e një prej terminaleve më të ngarkuara gjatë sezonit veror në Greqi. Avioni, i cili ishte në një fluturim stërvitor, u ul ashpër në pistë rreth orës 13:45 të së enjtes, pas një defekti teknik, tha forca ajrore greke në një deklaratë. Ajo shtoi se piloti ishte "në gjendje të mirë shëndetësore" dhe se shkaku i incidentit po hetohej. Media greke raportoi se avioni kishte marrë një sinjal për një zjarr në bord para uljes dhe u përfshi nga flakët në pistë, duke nxitur një reagim emergjent nga zjarrfikësit dhe personeli i aeroportit. Avioni luftarak u përplas në pistë pa hapur ingranazhet e uljes, cka bëri që ai të rrëshqiste për dhjetëra metra përgjatë pistës, raportoi gazeta greke Kathimerini.