Shtatë persona kanë humbur jetën dhe të paktën 11 të tjerë janë plagosur pas rrëzimit të një avioni mallrash në Aeroportin Ndërkombëtar Louisville Muhammad Ali, mbrëmjen e së martës. Guvernatori i Kentakit, Andy Beshear konfirmoi numrin e viktimave, duke bërë të ditur se tre prej tyre dyshohet të kenë qenë pjesë e ekuipazhit të avionit. “Kushdo që ka parë imazhet dhe videon e di se sa e dhunshme ishte kjo përplasje”, deklaroi ai në një konferencë për shtyp, duke paralajmëruar se bilanci mund të rritet ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë punën.