Qeveria e Kosovës ra dakord të lëshojë leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj për pjesëtarët e komunitetit serb, që nuk kanë dokumente të Kosovës, dhe të njohë kartat e identitetit të lëshuara nga autoritetet serbe, cka pritet të zbusë pasojat e zbatimit të plotë të Ligjit për të huajt dhe për automjetet. Sipas njoftimit të fundit nga autoritetet e Kosovës, zbatimi i plotë i Ligjit për të huajt dhe për automjetet nis më 15 mars. Bazuar në këto ligje, të gjithë ata që nuk kanë dokumente të Kosovës, do të duhet të marrin leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në Kosovë për më shumë se tre muaj, ose në bazë të autorizimit. Masat e reja lehtësuese për pjesëtarët e komunitetit serb vijnë pas një takimi që zhvilluan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, më 14 mars në Prishtinë. Zbatimi i plotë i Ligjit për të huajt dhe për automjetet kundërshtohet nga pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, përfaqësuesit e tyre politikë dhe sektori civil, të cilët argumentojnë se një gjë e tillë do të ndikojë negativisht te komunitetet pakicë, si dhe te sektorët e shëndetësisë dhe arsimit që veprojnë brenda sistemit të Serbisë në mjediset me shumicë serbe. Kjo, për faktin se masat do të preknin pjesëtarët e komunitetit serb që nuk kanë dokumente të Kosovës, por jetojnë, punojnë ose studiojnë në Kosovë. Për shembull, në Universitetin e Mitrovicës së Veriut - i cili vepron brenda sistemit serb - qytetarët serbë punojnë ose studiojnë dhe do të duhet të kenë leje pune ose leje qëndrimi. Në praktikë, marrja e lejes për punë ose studime mund të jetë problematike, sepse Kosova nuk i njeh institucionet e Serbisë, duke i konsideruar ato si paralele dhe të paligjshme.