Kapriçot e motit janë rikthyer në veri të vendit, duke sjellë reshje bore në zonat malore të Kukësit. Fshatra si Turaj, Breki, Shishtavec, Novosej, Borje, Shkinak dhe Buzmadhe janë zbardhur pasditen e së enjtes nga reshjet e borës. Pas reshjeve të shiut dhe një rënieje të ndjeshme të temperaturave, bora ka përfshirë lartësitë mbi 1000 metra. Deri më tani nuk raportohen probleme në qarkullimin e mjeteve apo në jetën e banorëve, megjithatë reshjet e dëborës pritet të shkaktojnë dëme të konsiderueshme në bujqësi, kryesisht në pemëtari. Autoritetet thonë se vijojnë të monitorojnë situatën, ndërsa kushtet e motit mbeten të paqëndrueshme.