Një front i ri tensioni është hapur mes dy vendeve fqinje dhe aleate në NATO, por njëkohësisht rivale, Greqisë dhe Turqisë. Këtë herë, përplasja lidhet me planet për energjinë e rinovueshme dhe parqet detare në Egje. Ministria e Jashtme turke dhe, një ditë më pas, Ministria e Mbrojtjes kundërshtuan kuadrin e ri grek për vendosjen e projekteve të energjisë së rinovueshme. Ankaraja pretendon se harta greke përfshin formacione shkëmbore dhe ishuj, sovraniteti i të cilëve, sipas saj, nuk i është njohur Greqisë përmes traktateve ndërkombëtare. Me këtë qëndrim, Turqia rikthen në diskutim teorinë e njohur të “zonave gri” në Egje, të cilën Athina e ka refuzuar kategorikisht prej dekadash.