Lumir Abdixhiku do të vijojë të jetë kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas përfundimit të Kuvendit të Jashtëzakonshëm të partisë, ku u votua për shkarkimin ose jo të tij nga drejtimi i LDK-së. Procesi i votimit përfundoi pa rezultuar me largimin e Abdixhikut, i cili mbetet në krye të partisë më të vjetër në Kosovë. Për të qëndruar në detyrë, Abdixhikut i nevojiteshin 165 vota nga delegatët e Kuvendit, të cilat ka mundur t’i sigurojë. Gjatë fjalimit para delegatëve, Abdixhiku deklaroi se çdo vendim i marrë gjatë mandatit të tij ka qenë në interes të partisë. Ai theksoi se rrugëtimin në krye të LDK-së nuk e ka bërë i vetëm, por së bashku me strukturat dhe anëtarësinë e partisë.