Vetëm 30 minuta reshje intensive shiu kanë mjaftuar për të krijuar probleme në qytetin e Bulqizës. Uji ka vështirësuar qarkullimin e mjeteve në rrugët nacionale dhe rurale, ndërsa qytetarët janë përballur me vështirësi në lëvizje në rrugë dhe në pedonalen e qytetit. Siç shihet edhe nga pamjet, reshjet kanë shkaktuar përmbytje në disa pjesë të pedonales, situatë e favorizuar edhe nga bllokimi i pusetave, të cilat nuk kanë përballuar prurjet e mëdha të ujit. Reshjet mund të kenë sjellë probleme edhe në sektorin e bujqësisë, por deri në këto momente nuk ka raportime zyrtare për dëme në kulturat bujqësore apo në sipërfaqet e mbjella. Autoritetet lokale po monitorojnë situatën, ndërsa deri tani nuk raportohen dëme të konsiderueshme materiale apo incidente!