I gjithë gjiri i Durrësit është përfshirë nga reshjet e shiut, ndërsa kushtet atmosferike në det të hapur kanë ndikuar në pezullimin e lundrimit për mjetet e tonazhit të vogël, përfshirë dhe peshkarexhat të cilat mëngjesin e sotëm janë kthyer në port. Kapiteneria e portit të Durrësit bën me dije se forca e detit është 5-6 ballë, ndërsa era fryn nga juglindja. Pasdite era parashikohet të ndryshojë drejtim e të fryjë nga veriu duke sjellë dhe rënie të temperaturave. Ndërkaq tragetet që lidhin portin italian të Barit kanë lundruar pa probleme drejt Durrësit, duke mbërritur rreth orës 07:00. Sipas parashikimeve moti në det të hapur pritet të normalizohet të dielën, duke kthyer normalitetin në veprimtarinë e flotës së peshkimit në fillim të javës së re.