Euro ka vijuar rënien edhe këtë javë, duke prekur një tjetër minimum historik në kursin e këmbimit me Lekun. Sipas Bankës së Shqipërisë, të martën një Euro u këmbye me 92.44 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Që nga fillimi i vitit, Euro ka humbur 4.5% të vlerës kundrejt Lekut, ndërsa në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, rënia është 4.9%. Rënia është përshpejtuar veçanërisht gjatë vitit 2026, e ndikuar nga oferta e lartë e valutës gjatë sezonit veror dhe përmirësimi i Bilancit të Pagesave.