E shtuna ka nisur me fluks të shtuar qarkullimi automjetesh pothuajse në të gjithë akset kombëtare të vendit. Në Rrugën e Kombit ka pasur fluks në hyrje në pikën e kalimit me Kosovën, ndërsa në nyjen e Milotit trafiku është rënduar edhe më tej. Trafik është regjistruar edhe në aksin nga Miloti për në Lezhë dhe nga Lezha për në Shkodër. Kjo pjesë është e ngarkuar pothuajse përgjatë të gjithë sezonit veror, por situata është përkeqësuar edhe më shumë pas mbylljes së urës së vjetër të Milotit. Qarkullim mbi mesataren është regjistruar edhe në autostradën Tiranë-Durrës, ndërsa në autostradën Tiranë-Elbasan, problematikë është dalja prej saj në Bradashesh, që gjatë paradites së të shtunës është bllokuar nga trafiku. Ekspetët e sigurisë rrugore e shpjegojnë qarkullimin e shtuar me pushimet e gushtit dhe faktin që është fundjavë. Në këto ditë, regjistrohet fluks lëvizjesh drejt zonave bregdetare, si dhe për në liqenin e Pogradecit dhe qytetin e Korçës.