Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim deri në shpalljen e aktgjykimit. Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë ka refuzuar kërkesën për lirimin e Thaçit. Në vendimin e datës 10 gusht, Trupi Gjykues ka vlerësuar se aktualisht nuk ka informacion të mjaftueshëm për të konstatuar se Thaçi do t’i shmangej drejtësisë në rast se do të lirohej. Megjithatë, gjyqtarët kanë konstatuar se vazhdon të ekzistojë rreziku që ai të mund të pengojë përparimin e procedurave të Dhomave të Specializuara apo të ndikojë te dëshmitarët. Ky është vendimi i 27-të për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj ish-presidentit.