Skema e pensioneve është nën presion. Banka Botërore, në raportin për Ballkanin Perëndimor, shpalos hendekun që është krijuar në skemën e sigurimeve shoqërore për shkak të emigrimit të të rinjve dhe plakjes së popullsisë. Në raport thuhet se Shqipëria ka bërë përpjekje në përmirësimin e qëndrueshmërisë fiskale në sistemin e pensioneve po ka përqindje të ulët suporti, çka do të thotë se numri i të punësuarve, pra kontribuesve në skemën e pensioneve është më i ulët krahasuar me pensionistët.