Një mbyllje e pjesshme e qeverisë duket e pashmangshme ndërsa Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy të enjten nuk pranoi të merrte në shqyrtim një projektligj të Senatit për buxhetin dhe përpjekjet e ligjvënësve republikanë për t'u bashkuar rreth një projektligji të tyre për financimin e qeverisë nuk u mbyllën me sukses. Kongresi po përballet me një ngërç politik në prag të një mbylljeje të pjesshme të qeverisë federale, që do të mund të ndikonte pagat e rreth 2 milionë punonjësve të qeverisë federale dhe 2 milionë ushtarëve. Por Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati po ndjekin rrugë të ndryshme për të shmangur këto pasoja ndonëse po mbaron koha për të gjetur një zgjidhje para ditës së diel.