Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se SHBA ka mbështetur vlerësimin e Ukrainës lidhur me situatën në fushën e betejës dhe se Vladimir Putini jeton në një “realitet tjetër”. Kjo deklaratë vjen në kohën kur në Abu Dabi kanë nisur diskutimet trepalëshe mes Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Në një postim në rrjetet sociale, Zelensky bëri të ditur se, gjatë bisedimeve, Rusia pretendoi se ka pushtuar gjysmën e Donbasit, në Ukrainën lindore. “Këtu qëndron problemi. Putini jeton në një realitet tjetër,” shkroi presidenti ukrainas, duke shtuar: “Edhe unë mund t’i vizatoj atij një skenar ku e pushtoj plotësisht Rusinë. Por kjo nuk është e vërtetë. Ajo që ishte pozitive është se pala amerikane konfirmoi vlerësimin ukrainas për atë që po ndodh në fushën e betejës.”