Autoritetet iraniane kanë varur një person, pasi ai u dënua për spiunazh për llogari të agjencisë izraelite të inteligjencës Mossad që nga viti 2022, njoftoi gjyqësori iranian. “Babak Shahbazi... u ekzekutua me varje mëngjesin e sotëm, pas një procesi të drejtë gjyqësor dhe pas konfirmimit të dënimit të tij nga Gjykata Supreme”, njoftoi portali i gjyqësorit, Mizan Online. Nuk është bërë menjëherë e qartë kur Shahbazi u arrestua, por Mizan tha se ai u dënua me vdekje për akuzat të “korrupsionit në tokë”, term që shpesh përdoret për aktivitete që shihen si kërcënim për sigurinë kombëtare të Iranit dhe “luftës kundër Zotit”.