Karrigia e bashkëkryetarit demokrat, Luçiano Boçi mbeti bosh gjatë konstituimit të komisionit për reformën territoriale, e po njësoj u vu re mungesa edhe e kolegëve të tij demokratë. Punimet e mbledhjes së parë u drejtuan nga socialisti Arbjan Mazniku, i cili kërkoi bashkëpunimin e opozitës gjatë hartimit të ndryshimeve në hartën administrative-territoriale. Mazniku: “Ne do të mbetemi shumë të hapur për të bashkëpunuar me opozitës, të gjitha kërkesat që opozita pati në procesin e krijimit të këtij komisioni janë adresuar nga ana e mazhorancës. Më vjen keq që anëtarët e Partisë Demokratike nuk erdhën në këtë takim. Shpresojmë që kjo të vijojë dhe të mos jetë një problem dhe të kthehet në një mekanizëm që të kemi bashkëpunim dhe ndërveprim.” Të vetmit opozitarë në tryezën e territorales, Vangjel Dule dhe Edmond Haxhinasto parashtruan kërkesat për të marrë në konsideratë edhe efektet e reformës së vitit 2014.