Mazhoranca filloi të ndërmarrë hapat e parashikuar në ligj, për zgjedhjen e presidentit të ri të republikës. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i dërgoi këtë të premte, një kërkesë zyrtare kryetares së kuvendit, Lindita Nikolla. Në letrën e Ballës, kërkohet fillimi i procedurave për zgjedhjen e presidentit të ri të republikës. Kushtetuta parashikon se procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri, duhet të fillojnë jo më pas se data 24 maj, duke përllogaritur afatin e përcaktuar që nga dita e betimit të kreut të shtetit, Ilir Meta. Balla kërkon që Konferenca e Kryetarëve të mblidhet në 29 prill, me rend dite fillimin e procedurave për zgjedhjen e presidentit të ri të republikës dhe përcaktimin e datës së raundit të parë të votimit të kandidaturave për president. Socialistët propozojnë, që dita e dedikuar për votimin e kandidaturave për president në kalendarin e punimeve të kuvendit, të jetë data 4 maj.