Për të tretën herë, qytetarë të Patosit janë mbledhur në protestë kundër propozimit për shkrirjen e bashkisë. Protestuesit shprehen kundër ndryshimit të statusit të territorit, duke kërkuar që Patosi të vijojë të funksionojë si njësi e veçantë administrative. Sipas tyre, Patosi plotëson kriteret për të qenë bashki, ndërsa një nga argumentet kryesore lidhet me të ardhurat që gjenerohen nga industria e naftës, e cila prej dekadash është një nga aktivitetet kryesore ekonomike të zonës. Patosi ka historinë, ekonominë dhe të ardhurat e veta. Nuk është e drejtë që qytetarët të detyrohen të shkojnë në Fier për shërbime që sot i marrin këtu. Sidomos për të moshuarit kjo është një vështirësi e madhe. Protestuesit paralajmërojnë se do të vijojnë kundërshtimin e tyre edhe në ditët në vijim, duke kërkuar që zëri i qytetarëve të Patosit të merret në konsideratë përpara çdo vendimmarrjeje për riorganizimin territorial.