Zgjidhje për mungesën e ujit vaditës ishte kërkesa e banorëve të Njësisë Administrative Shtiqën dhe atyre të fshatit Nangë që protestuan këtë të mërkurë para Bashkisë së Kukësit. Ata thanë se prej ditësh po përballen me mungesën e ujit për tokat bujqësore, ndërsa pretendojnë se burimet ujore po përdoren për prodhimin e energjisë elektrike nga HEC-et. Sipas banorëve, marrëveshja parashikon që nga data 15 maj deri më 15 shtator uji duhet të jetë i garantuar për vaditjen e tokave bujqësore, por mosrespektimi i këtij pakti po rrezikon të mbjellat.