Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën e familjarëve të Ervis Martinajt për shuarjen e sekuestros ndaj pronave. Avokatët e Martinajt dhe familjarëve të tij kanë depozituar prej gati dy vitesh këtë kërkesë, që sipas legjislacionit në fuqi duhej shqyrtuar nga GJKKO brenda një viti. Megjithatë, gjykata vlerësoi se kërkesa për heqjen e sekuestrove të pronave është e pabazuar në ligj dhe prova, përsa kohë prokuroria ka kompetencë të hetojë dy vite nga momenti i bllokimit të tyre. Gjykata tha se masa e sekuestros shuhet kur mbaron afati i shtyrë i saj dhe në rast se prokuroria nuk ka bërë kërkesë për konfiskim. Në rastin konkret, afati i sekuestrimit të pronave të Martinajt u mbyll në dhjetor 2025, teksa brenda kësaj periudhe SPAK ka depozituar kërkesën për konfiskimin e tyre. GJKKO sekuestroi në vitin 2023 34 pasuri të Ervis Martinajt, që rezulton i zhdukur prej gushtit të vitit 2022.