Mbrojtja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaron se argumenti i përdorur nga prokurori i posaçëm, Ols Dado për të mos transmetuar drejtpërdrejt seancën në gjykatën administrative, ku është depozituar padia kundër emërimit të tij si prokuror nuk është logjike. Argumenti i paraqitur nga i padituri Dado ishte se transmetimi live mund të dëmtonte imazhin dhe karrierën e magjistratit, pasi akti i emërimit është një akt individual. Ky argument shpjegon pikërisht pse transparenca është e domosdoshme. Në një shtet demokratik, karriera e një prokurori nuk mbrohet duke shmangur kontrollin publik mbi ligjshmërinë e mandatit të tij, por duke provuar publikisht se ai mandat është fituar në përputhje me ligjin. Një mandat i ligjshëm nuk ka frikë nga kamerat dhe një proces i drejtë nuk ka frikë nga publiku.