Prokurorët po përgatisin dokumentacionin për të paditur vendimin e Ministrisë së Financave për moskalimin e pagave sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Në këtë përfundim ka dalë mbledhja urgjente e thirrur nga kryeprokurori Olsian Çela me kryeprokurorët dhe prokurorët e rretheve. Gjatë diskutimeve është shqyrtuar mundësia e ngritjes së një padie civile në gjykatën administrative, teksa është folur edhe për ngritjen e një kallëzimi penal në Prokurorinë e Posaçme. Burime nga mbledhja pohojnë se një pjesë e prokurorëve e lexojnë refuzimin e Ministrisë së Financave për të kaluar pagesat ka elementë të shpërdorimit të detyrës. Pagesat për gjyqtarët dhe prokurorët kanë kaluar te organet e posaçme të drejtësisë, si dhe te Gjykata Kushtetuese. Në të dyja rastet, përllogaritja e pagës është bërë sipas formulës së vjetër, para vendimit të 17 shkurtit të Gjykatës Kushtetuese.