Inspektoriati Kombëtar i Territorit ka përfunduar analizën e dy objekteve të ndërtuara në kuadër të projektit ‘Durrës Marina’, duke dalë në përfundimin shqetësues se që të dyja godinat kanë pësuar zhvendosje. Grupi i kontrollit, që përbëhej nga inspektorë të IKMT-së, përfaqësues të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, inspektorë të IMT-së së Bashkisë Durrës, si dhe përfaqësues të Institutit të Ndërtimit kryen verifikimet në dy objektet, ku dyshohej se kanë pësuar ulje. Analiza konfirmoi se në njërën godinë me projekt 8 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë, ulja ishte 28 centimetra. Në godinën tjetër 10 kate mbi tokë dhe një kat nën tokë, ekspertiza e grupit gjeti 18 centimetra ulje.