Një litër qumësht, një shishe vaj apo një produkt tjetër i prodhuar në Kosovë kushton shpesh më shumë se një produkt i ngjashëm i importuar. Kjo huton konsumatorët në raftet e dyqaneve, ku shpesh produktet vendase nuk konkurojnë dot me cmimet e mallrave që vijnë nga jashtë. Për prodhuesit, arsyeja nuk lidhet me cilësinë e produkteve, por me koston e prodhimit. Ata thonë se energjia, transporti, paketimi, fuqia punëtore dhe lëndët e para e bëjnë prodhimin në Kosovë më të shtrenjtë, ndërsa produktet e importuara shpesh vijnë me avantazhin e subvencioneve shtetërore në vendet ku prodhohen.