Kryedemokrati Sali Berisha në konferencën e kësaj të hene ka akuzuar qeverinë se po ushtron presion mbi përfaqësuesit e saj lidhur me qëndrimet e tyre në rrjetet sociale karshi protestës së qytetarëve. Berisha deklaroi se brenda kampit qeveritar është krijuar një strukturë që e quajti me ironi ‘Komisioni Balla’, e cila po monitoron postimet e zyrtarëve socialistë për të identifikuar ata që nuk kanë reaguar kundër protestave. Për këtë, sipas tij, në radhët socialiste do të ketë ‘viktima’. ‘Komisioni Balla është komisioni që po kontrollon statuset në mediat sociale të nomenklaturës, për të identifikuar ata, të cilët nuk kanë bërë statuse kundër lëvizjes rinore qytetare dhe flamingove pra. Viktima e parë e Komisionit Balla do jetë Niko Peleshi, i cili sipas Ballës, është treguar sylesh ndaj lëvizjes rinore qytetare dhe nuk ka statuse në mediat e tij kundër tyre. Pritet zëvendësimi i shpejtë i Peleshit me Ballën, laj e thaj, Balla i ka mbetur atij.’