Autoritetet spanjolle ekstraduan drejt vendit tonë Ismail Zenelin, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga shteti shqiptar si pjesë e një grupi kriminal për trafikun e drogës. Zeneli ishte pjesë e grupit kriminal, i drejtuar nga Ervin Meta, i cili ndodhet ende në arrati. Nga hetimet e SPAK, rezultoi se Zeneli në bashkëpunim me persona të tjerë, trafikuan lëndë narkotike në sasi të mëdha nga vendet e Amerikës se Jugut, në portet kryesore europiane, veçanërisht në Valencia, Spanjë. Nga provat që ka grumbulluar SPAK, Ismail Zeneli, Besmir Murtati dhe Eralbi Brecani, në bashkëpunim me Ergys Dashin i cili u ekzekutua në Ekuador në janar të vitit 2022 si dhe me persona të tjerë, trafikuan 446 kg kokainë nga Amerika e Jugut në Holandë, sasi e cila u sekuestrua në 5 janar të vitit 2021.