Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka lëshuar akuza ndaj SPAKpër mosveprim sa i përket kërkesës për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e ish-zv/kryeministres Belinda Balluku. Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi thotë se pozita penale e Ballukut është rënduar. ‘3 akuza të reja për korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie, por akoma ASNJË kërkesë e re nga SPAK për heqjen e imunitetit për arrestimin e Belinda Ballukut. Pozita penale e Ballukut është rënduar, por SPAK nuk vepron për rëndimin e masës së sigurisë dhe vazhdon t’i japë kohë Edi Ramës për manovra politike.’ Më tej, kreu i grupit parlamentar të PD-së deklaroi se kjo vonesë po i shërben interesave të ngushta politike në dëm të zbatimit të ligjit. ‘Çdo ditë që kalon pa kërkesën për heqjen e imunitetit për arrestimin e Belinda Ballukut është në favor të ‘Aleancës së Valamarit’ kundër sundimit të ligjit,” përfundoi reagimin e tij Gazment Bardhi.’ Sipas Bardhit, SPAK po shkel mbi standardet e deklaruara prej vetë institucionit.