45 pistoleta gjysmëautomatike të fshehura në një kamion që transportonte fiq nga Turqia në Gjermani u kapën nga autoritetet doganore të Bullgarisë këtë të mërkurë. Armët u zbuluan pas një inspektimi të bërë me pajisje me rreze X, thanë autoritetet në përfundim të oepracionit ndërsa ndanë dhe disa pamje nga kontrollet e ushtruara. Kamioni ishte duke kaluar në pikën kufitare Kapitan Andreevo në kufirin me Turqinë kur u ndalua pas dyshimeve të ngritura ndonëse sipas mediave bullgare ai ishte pajisur me të gjitha dokumentet e nevojshme për transportin e frutave. Në tre muajt e fundit, 1,640 armë zjarri janë sekuestruar në pikat kufitare bullgare, pesë herë më shumë se numri i përgjithshëm i armëve të sekuestruara në gjashtë vitet e mëparshme, raportojnë mediat vendase.