Kur Gjykata Kushtetuese riktheu për shqyrtim në Gjykatën e Lartë kërkesën e kryebashkiakut Erion Veliaj për të shfuqizuar masën e sigurisë arrest me burg, vendimi shoqërohej me kushtëzimin se kjo gjykatë duhet të arsyetojë nëse masa e arrestit është proporcionale përballë akuzave dhe rrezikshmërisë së të akuzuarit, si edhe ndikimin e kësaj mase në ushtrimin e mandatit prej Veliajt si i zgjedhur vendor. Por, Gjykata e Lartë me vendimin e marrë këtë të martë, duket se ka bërë një sy qorr dhe një vesh shurdh përballë urdhrit të marrë nga Kushtetuesja, që qëndron në majën e piramidës së drejtësisë shqiptare.