Pilulat e ekstazisë me fytyrën e Donald Trump mbi to janë potencialisht vdekjeprurëse. Alarmi u lëshua nga Instituti Trimbos në Utrecht, të Holandës, i cili është i specializuar në varësinë nga droga dhe shëndetin mendor. Siç raportohet nga BBC, instituti lëshoi një "alarm të kuq" pasi disa mostra u dorëzuan në qendrat e testimit në gusht. Pilulat kanë fytyrën e presidentit amerikan në njërën anë, ndërsa fjalët "Trump" dhe "NL" në anën tjetër. Testet zbuluan një sasi shumë të lartë të PMMA-së në pilula, një substancë e ngjashme me MDMA-në, përbërësi aktiv në ekstazi. "Mos i merrni këto pilula në asnjë rrethanë," paralajmëroi Instituti. Substanca mund të shkaktojë të përziera dhe rritje të rrahjeve të zemrës, madje duke çuar në konvulsione. Rreziku i raportuar përfshin gjithashtu mbinxehjen e trupit, me pasoja fatale.