Studimet në fazat e fundit të vaksinës së mundshme të kompanisë AstraZeneca për COVID-19, janë pezulluar përkohësisht ndërsa kompania heton nëse një sëmundje “e pashpjegueshme” e një vullnetari që ka marrë vaksinën, ishte një efekt anësor i saj. Në një deklaratë të martën në mbrëmje, kompania tha se “procesi i saj standard i kontrollit, shkaktoi një pauzë të vaksinimit për të analizuar të dhënat e sigurisë”. AstraZeneca nuk nxori ndonjë informacion për efektin e mundshëm anësor përveçse e quajti “një sëmundje mundësisht të pashpjegueshme”. Faqja e lajmeve shëndetësore STAT ishte e para që njoftoi për ndaljen e testimit, duke thënë se efekti i mundshëm anësor kishte ndodhur në Britani.