Bashkia e Pogradecit thotë se ka shteruar të gjitha konsultimet me banorët e fshatit Çërrave për dhënien me qira të tokave shtetërore që përdoren nga banorët e këtij fshati. Përmes një deklarate pas tensioneve të shkaktuara në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të së hënës, bashkia pretendon se dëgjoi kërkesat e banorëve të këtij fshati duke reduktuar sipërfaqen e pronës së planifikuar për t’u dhënë me qira, nga gati 66 hektarë në 34 hektarë e 6 mijë metër katrorë. Sipas Bashkisë, gjatë pesë takimeve konsultative me banorët e fshatit Çërravë, këta të fundit shprehën shqetësimet dhe sugjerimet e tyre, të cilat u morën në konsideratë nga institucioni. Bashkia thotë se banorët kërkuan rishikimin e sipërfaqes duke hequr nga harta zonat me status kullotë, që shfrytëzohen për blegtorinë.