Byroja Kombëtare e Hetimit konfirmon zyrtarisht sulmin e ushtruar ndaj agjentëve dhe punonjësve të policisë mbrëmjen e së martës në Fier, duke thënë se ata po kryenin detyra hetimore të deleguara në kuadër të një hetimi të SPAK. Sipas BKH, hetuesit dhe efektivët e policisë po kryenin detyrën e tyre dhe u sulmuan pa asnjë motiv nga disa persona, të cilët janë identifikuar dhe shoqëruar nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier. Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme thotë se veprimet e kryera nga BKH janë në përputhje me ligjin dhe nën vëzhgimin direkt të prokurorëve të posaçëm. Ky është incidenti i parë i kësaj natyre që shënohet me agjentët e BKH, që prej momentit që ata u shpërndanë në 12 qarqet e vendit në kuadër të strategjisë që shpalosi SPAK për identifikimin e krimeve zgjedhore.